Bashkia Shkodër po vijon ndërhyrjet për lirimin e hapësirave publike të zëna në zonën e Xhabijes, përmes largimit të objekteve që kanë penguar prej kohësh shfrytëzimin e mjediseve të përbashkëta nga banorët.
Paralelisht me prishjen e këtyre objekteve, po punohet për sistemimin dhe rehabilitimin e plotë të lulishtes pranë bustit të Esat Gjylit, me synimin për ta kthyer atë në një hapësirë të gjelbër, funksionale dhe çlodhëse për komunitetin.
I pranishëm gjatë aksionit për prishjen e objekteve dhe lirimin e hapësirave publike ka qenë edhe kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili ka ndjekur nga afër edhe ecurinë e punimeve për rehabilitimin e lulishtes pranë pallateve. Kjo hapësirë synohet të shndërrohet në një mjedis të gjelbër dhe të sistemuar, në shërbim të banorëve të zonës.
Në një intervistë, Dionis Dragani, drejtor i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Shkodër, jep detaje mbi ndërhyrjet që po realizohen në këtë zonë dhe mënyrën se si do të shfrytëzohen hapësirat e liruara.
Sipas planit të Bashkisë Shkodër, një pjesë e sipërfaqeve që po lirohen do të shërbejnë për krijimin e parkimeve publike, duke synuar lehtësimin e një prej problematikave të përditshme të banorëve të Xhabijes.
Ndërhyrjet janë pjesë e procesit të rikthimit të hapësirave publike në shërbim të qytetarëve, përmirësimit të infrastrukturës së lagjeve dhe krijimit të mjediseve më funksionale për komunitetin.
Gazetar: Nermin Spahiu
/rtsh.al/