Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka bërë me dije se Policia e Shtetit me anë të teknologjisë arrin të identifikojë individët e dhunshëm në protestë pavarësisht mbulimit të fytyrës.
Sipas tij, strukturat e rendit janë të vendosura për të çuar përpara drejtësisë çdo individ që ka dëmtuar pronën publike apo private.
Në konferencën me kryeministrin Rama, Demo e vuri theksin te rëndësia e procedurave që po ndjek Policia e Shtetit për zbardhjen e ngjarjeve.
“Në fakt unë doja të identifikoja specifikisht rëndësinë që ka tashmë procesi që Policia e Shtetit është duke ndjekur për sa i përket identifikimit të vazhdueshëm që bën të elementëve të dhunshëm të cilët kanë marrë pjesë në protestat e ditëve të fundit,” deklaroi ai.
Sipas Demos, vëllimi i madh i pamjeve filmike ka bërë që përdorimi i teknologjisë të jetë vendimtar për efikasitetin e punës operacionale.
“Ky proces fatmirësisht sot është duke u lehtësuar edhe nga vetë teknologjia për ta bërë atë më të shpejtë dhe ne kemi në fakt dita ditës raste të cilat janë të identifikueshme. Edhe kur protestuesit kanë fshehur pamjen e tyre nëpërmjet maskave, ne përsëri kemi arritur që t’i identifikojmë të gjithë këta protestues të cilët kanë kryer akte dhune,” tha Demo, duke nënvizuar se fshehja pas maskave nuk i shmang dot shkelësit e ligjit nga përgjegjësia penale.
Demo sqaroi gjithashtu se “ajo çfarë ne jemi duke realizuar tashmë është që nëpërmjet teknologjisë – sepse janë qindra e qindra orë filmime nga burime të ndryshme të cilat duhen përpunuar dhe patjetër duke përdorur thjesht burimet njerëzore kjo do të ishte një proces shumë i vështirë – por tashmë falë teknologjisë ne jemi duke avancuar me shpejtësi për sa i përket identifikimit të të gjithë personave të dhunshëm”.
Ministri i Punëve të Brendshme tha më tej se aksioni i policisë do të vazhdojë pa ndërprerje deri në zbardhjen e plotë të çdo incidenti.
“Dua të garantoj të gjithë qytetarët që Policia e Shtetit do të punojë çdo ditë për aq kohë sa duhet për të vënë përpara drejtësisë të gjithë ata të cilët kanë shkatërruar pronën publike, të gjithë ata të cilët kanë cenuar bizneset private dhe këtë policia po e bën falë edhe teknologjisë më shpejt edhe më saktë,” përfundoi Ervin Demo.
/rtsh.al/