Gjatë këtij muaji, Bashkia Tepelenë ka pasur në vëmendje pastrimin dhe mirëmbajtjen e territorit që mbulon, si në qytet, ashtu edhe në njësitë administrative. Ndërhyrjet synojnë mbajtjen pastër të hapësirave publike dhe përmirësimin e mjedisit për banorët dhe vizitorët.
“Pastrimi unë do të thosha kryesisht është përqëndruar në fillim edhe në formë aksioni. Ne e kemi traditë pune por edhe në formë aksioni kryesisht duke filluar nga Bënçja e cila ka aksin kryesor për në Kurvelesh. Tashmë e dinë që Kurveleshi ka marrë një atraksion të jashtëzakonshëm për turizmin. Pastrimi këtu është bërë një metodë pune, me plot kuptimin e fjalës. Neve nuk e kemi lënë kurrë Tepelenën që të jetë në pikën e hallit për pastrimet duke patur dhe një kërkesë llogarie të vazhdueshme dhe nga stafet”, deklaroi kryetari i njësisë qendrore, Leonidha Shumeli.
Krahas pastrimit të territorit, vëmendje i është kushtuar edhe mirëmbajtjes së hapësirave publike, lulishteve dhe zonave të gjelbra. Këto hapësira kërkojnë kujdes të vazhdueshëm, për të garantuar një mjedis të pastër.
“Në qytet sot po punohet për pastrimin e barërave, për rehabilitimin e lulishteve duke i trajtuar dhe me ple kimike, sepse ne kemi një ambient shumë të gjerë. Këtu kemi rreth, janë të pak lulishte, janë rreth 3 hektarë të cilat trajtohen çdo ditë nga brigadat e shërbimit”, tha Shumeli.
Pastrimi dhe mirëmbajtja e territorit mbeten pjesë e punës së përditshme për administrimin e hapësirave publike. Synimi është që këto shërbime të shtrihen në të gjithë territorin e bashkisë.
/RTSH/