Monday, 26. October 2026
Sport

Protesta e 24 tetorit në Tiranë, arrestohen 9 persona, mes tyre një shtetas gjerman, 20 të tjerë në kërkim

GS 26/10/2026 2 Min. Lesezeit

Nëntë persona janë arrestuar, dy janë proceduar penalisht dhe 20 të tjerë janë shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, në vijim të hetimeve për incidentet e regjistruara gjatë tubimit të 24 tetorit.

Sipas njoftimit të Policisë, të arrestuarit dyshohet se kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë me sende të forta dhe lëndë piroteknike, si dhe kanë dëmtuar godina të institucioneve shtetërore.

Në pranga kanë rënë shtetasit me inicialet A. K., 27 vjeç, P. L., 45 vjeç, E. B., 21 vjeç, Sh. M. dhe O. C., të dy 19 vjeç, Z. M., 25 vjeç, S. H., 20 vjeç, M. L., 23 vjeç (shtetas gjerman), dhe K. M., 20 vjeç.

Gjithashtu, është arrestuar edhe E. D., 20 vjeç, i cili dyshohet se ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale të vjedhjes. Sipas Policisë, ai dyshohet gjithashtu se është përfshirë në veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të 24 tetorit.

Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e K. M., 20 vjeç, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Policia bën me dije se hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Teilen: