Monday, 26. October 2026
Sport

Transportonte 11 emigrantë kundrejt 2500 eurove për person, arrestohet 30-vjeçari në Konispol

GS 26/10/2026 3 Min. Lesezeit

Një 30-vjeçar është arrestuar në flagrancë në afërsi të Konispolit, pasi u kap duke transportuar me furgon 11 emigrantë nga Irani dhe Iraku, të cilëve dyshohet se u kishte ofruar ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit kundrejt pagesës prej 2500 eurosh për person. Operacioni i koduar “Tranzit” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në kuadër të kontrolleve dhe hetimeve për parandalimin e veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve.

Sipas Policisë, 30-vjeçari me inicialet V. D., banues në Lushnjë, u kap teksa transportonte emigrantët me një automjet tip furgon. Këta të fundit dyshohet se kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar përmes kufirit tokësor me Greqinë dhe synonin të kalonin më tej në Itali. Në vijim të veprimeve procedurale, 11 emigrantët u proceduan penalisht për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Ndërkohë, automjeti i përdorur për transportimin e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i plotë: 

DVKM Vlorë/Finalizohet operacioni i koduar “Tranzit”, goditet një rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. U kap në flagrancë duke transportuar kundrejt pagesës, 11 emigrantë nga Irani dhe Iraku, të cilët sapo kishin hyrë ilegalisht nga Greqia dhe synonin të kalonin në Itali, arrestohet 30-vjeçari.

Procedohen penalisht 11 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror. Sekuestrohet automjeti (furgon) i përdorur për transportimin e tyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve dhe punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Tranzit”.

Në kuadër të operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi V. D., 30 vjeç, banues në Lushnjë, i cili u kap në afërsi të Konispolit, duke transportuar me automjet (furgon), 11 shtetas nga Irani dhe Iraku, kundrejt pagesës 2500 eurosh për person. 11 emigrantët sapo kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar, nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë, dhe dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht në Itali.

Në vijim të veprimeve procedurale, 11 emigrantët u proceduan për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Teilen: