Zbigniew Boniek, ish-sulmuesi i Juventusit, mendon se fitorja 2-0 ndaj Lecce nuk i ka zgjidhur problemet e bardhezinjve: “Situata është mjaft e rënduar dhe e vështirë. Kur shoh Juventusin, nuk shoh një skuadër me kampionë, por vetëm me lojtarë të mirë. Ky është ndryshimi. Sot nuk është mes skuadrave kryesore për titullin, gjë që duket edhe nga vështirësitë në Europë”.
Boniek vuri në dyshim edhe dominimin e Juventusit në Lecce, duke theksuar se goli i parë erdhi pas një goditjeje dënimi dhe me ndihmën e një devijimi që mashtroi portierin. Për trajnerin Luciano Spalletti, ai tha me humor se ndonjëherë i duhet fjalori për të kuptuar shpjegimet e tij televizive. Më pas, ish-futbollisti rikujtoi konfliktin me klubin: “Nuk dua ta kritikoj ish-skuadrën time. Pa e kritikuar, më dhanë yllin në stadium dhe pastaj ma hoqën. Po ndalem këtu…”
Pse ia hoqi Juventusi yllin? Në vitin 2010, Boniek u përzgjodh nga tifozët për të pasur yllin e tij në stadiumin e ri të Juventusit. Por një shoqatë tifozësh kërkoi anulimin e vendimit, duke e akuzuar për mungesë mirënjohjeje, pasi kishte kritikuar drejtuesit Luciano Moggi dhe Antonio Giraudo. Boniek u përgjigj se kishte fituar shumë me Juventusin dhe se, pas tragjedisë së Heysel, kishte dhuruar shpërblimin e tij për familjet e viktimave.
Në prag të Krishtlindjeve të vitit 2010, klubi vendosi ta pezullonte caktimin e yllit të tij dhe të organizonte një votim të ri. Më 14 shkurt 2011, ylli iu dha Edgar Davids. “Ia dhanë dikujt që, me sa mbaj mend, te Juventusi bëri vetëm 6 muaj pezullim për doping. Sikur ta dinte Avokati se Andrea ma hoqi yllin…”, – reagoi atëherë Boniek, duke iu referuar Andrea Agnellit dhe ish-presidentit historik Gianni Agnelli. Kanë kaluar gati 15 vite, por polemikat mes Boniek dhe Juventusit nuk janë shuar.