Monday, 26. October 2026
Futboll

Matteo Materazzi: “SLA po më merr diçka çdo ditë”. Rrëfen trajtimin eksperimental në SHBA

GS 26/10/2026 2 Min. Lesezeit

Matteo Materazzi, ish-agjent sportiv, vëllai i Marco Materazzi, foli në emisionin “Verissimo” për betejën me sklerozën laterale amiotrofike (SLA) dhe trajtimin eksperimental që ndoqi për 6 javë në SHBA. Pranë tij ishte bashkëshortja Maura, me të cilën ka kaluar tri dekada dhe ka kapërcyer edhe një krizë martesore.

“Kam një sëmundje të tmerrshme. Qëndrova një muaj e gjysmë në SHBA për trajtim eksperimental kundër SLA-së, – tregoi Materazzi, duke falënderuar miqtë që e ndihmuan financiarisht. – Ky trajtim nuk më shërben mua, por fëmijëve tanë. Është një sëmundje gjenetike; sot e kam unë, nesër mund ta kenë fëmijët e mi. Do të doja të ekzistonte një armë për ta luftuar”.

Maura shpjegoi se kanë vënë re një ngadalësim të përparimit të sëmundjes, por paralajmëroi: “Nuk duam t’i japim askujt shpresa të rreme”. Bëhet fjalë për një terapi eksperimentale të personalizuar, për të cilën Matteo priti një vit. Ai ishte i pari që iu nënshtrua këtij protokolli, me shpresën se trajtimi do të bëhet i disponueshëm pa qenë e nevojshme të udhëtohet drejt SHBA-së.

Duke folur për vështirësitë e përditshme, ai tha: “Çdo ditë kjo sëmundje të merr diçka. Sot e kam zërin, ndoshta pas një muaji nuk do ta kem më”.

Megjithatë, ai këmbëngul: “Sëmundja më ka mësuar shumë. Mund të vuash, por duhet të vazhdosh përpara me buzëqeshje. Më pëlqen të jetoj”.

Maura kujtoi se diagnoza u konfirmua dy vite më parë, pas muajsh pasigurie. Çifti kishte qenë ndarë, por sëmundja i afroi sërish. “Kemi rizbuluar se e duam shumë njëri-tjetrin. Edhe në të keqen më të madhe mund të ketë gjëra pozitive”, – u shpreh ajo.

Teilen: