Monday, 26. October 2026
Sport

Futbollisti i Rilindjes së Prishtinës do të stërvitet në akademinë e Villarrealit

GS 26/10/2026 1 Min. Lesezeit

Futbollisti i talentuar i Rilindjes së Prishtinës, Matis Gashi, do të udhëtojë drejt Spanjës, ku do të jetë pjesë e një programi ndërkombëtar për zhvillimin e futbollistëve të rinj në kuadër të Villarreal CF.

Klubi spanjoll kishte organizuar më herët në Kosovë një kamp për zbulimin e talenteve, ku ndër të përzgjedhurit ishte edhe Gashi.

Gjatë qëndrimit tetëditor, nga 31 tetori deri më 7 nëntor, Matisi do të stërvitet nën drejtimin e trajnerëve profesionistë të akademisë spanjolle.

“Matisi është përzgjedhur falë talentit dhe potencialit të treguar gjatë kampit të Villarrealit të organizuar në Kosovë, duke fituar mundësinë të jetë pjesë e kësaj eksperience të veçantë. Suksese, Matis! Vazhdo të ëndërrosh, të punosh dhe të na bësh krenarë!”, thuhet në njoftimin e klubit Rilindja nga Prishtina.

Kjo përvojë përbën një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të talentit të ri dhe për të fituar përvojë në një ambient profesional të futbollit spanjoll.

Teilen: