Gjykata e Tiranës ka caktuar masa të ndryshme sigurie për 10 persona të arrestuar gjatë protestave të dhunshme, ndaj të cilëve Prokuroria kishte kërkuar vleftësimin e arrestimit dhe vendosjen e masave shtrënguese. Me vendimin e shpallur më 27 tetor 2026, katër të dyshuar u lanë në arrest shtëpie, ndërsa të tjerëve iu caktuan masa më të lehta, përfshirë ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
Sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në arrest shtëpie u lanë personat me inicialet D. Zh., V. L., M. S. dhe L. B. Gjykata urdhëroi që ata të mos largohen nga vendbanimet e deklaruara dhe ngarkoi Prokurorinë dhe Policinë Gjyqësore me mbikëqyrjen e zbatimit të masës.
Për K. F. u caktua masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit. J. B., O. A., E. Xh. dhe R. D. do të paraqiten një herë në muaj pranë oficerit të Policisë Gjyqësore gjatë hetimeve paraprake.
Ndërsa për Xh. M., krahas ndalimit të daljes jashtë shtetit, u vendos edhe detyrimi për të qëndruar brenda territorit të Bashkisë Korçë, pa u larguar prej saj pa autorizim.
Gjykata vlerësoi si të ligjshme arrestimet në flagrancë të të 10 personave. Për ata ndaj të cilëve nuk u caktua arresti në shtëpi, u urdhërua lirimi i menjëhershëm, nëse nuk mbahen për ndonjë shkak tjetër ligjor.
Vendimi u shpall më 27 tetor dhe mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda pesë ditëve nga dita pas komunikimit të vendimit të arsyetuar.