Alejandro Balde do të jetë një nga protagonistët kryesor të merkatos së janarit. Mbrojtësi i majtë me shumë mundësi do të largohet nga Barcelona, pasi jo vetëm që ka humbur vendin e titullarit, por tashmë konsiderohet si zgjedhje e tretë në krahun e majtë për trajnerin Hansi Flick.
Sipas Il Messaggero, agjenti i spanjollit, Jorge Mendes, ia ka ofruar së fundmi Romës mbrojtësin spanjoll. 23-vjeçari mund të jetë një përforcim ideal për verdhekuqtë, të cilët e kërkuan edhe në merkaton e verës, por pa arritur dot ta transferojnë.
Në anën tjetër, sipas Sport, Deco ka piketuar mbrojtësin e Juventusit, Andrea Cambiaso, si lojtarin ideal për të zënë vendin që do të lërë bosh Balde, gjithmonë në rast largimi gjatë merkatos së janarit.
Ndryshe nga Balde, Cambiaso është një mbrojtës më i kompletuar që mund të mbulojë të dy krahët, por mund të luajë edhe në qendër të mbrojtjes në raste nevojash.