Real Madridi ka kërkuar falje publike ndaj popullit kinez për shqetësimin që mund të kenë shkaktuar deklaratat e fundit të sulmuesit francez, Kylian Mbappe.
Përmes një komunikate zyrtare, klubi madrilen ka shprehur respektin e thellë për Kinën, historinë, kulturën dhe qytetarët e saj, si dhe për miliona tifozë kinezë që e mbështesin dhe e admirojnë Real Madridin.
Klubi gjithashtu është solidarizuar me kërkimfaljen publike të Mbappes-ë, i cili ka shprehur keqardhje për fjalët e tij dhe ka ritheksuar respektin ndaj popullit kinez.
Në fund të komunikatës, Real Madridi ka riafirmuar përkushtimin ndaj vlerave të respektit, bashkëjetesës dhe mirëkuptimit ndërmjet kulturave.
Gjiganti spanjoll ka shprehur dëshirën për të forcuar edhe më tej lidhjet e miqësisë dhe afërsisë me Kinën dhe qytetarët e saj.
E gjithë kjo situatë nisi pasi Kylian Mbappe, gjatë një interviste, foli për një meme ku fytyra e tij ishte vendosur mbi trupin e ish-liderit kinez Mao Ce Dun, të cilin e përshkroi si “një diktator kinez”.
Sulmuesi francez tha se kjo ishte memeja që e kishte bërë të qeshte më së shumti, duke shkaktuar reagime të ashpra në Kinë, ku Mao konsiderohet figurë historike shumë e ndjeshme. Pas kritikave, Mbappe kërkoi falje publike, ndërsa disa kompani kineze ndërprenë bashkëpunimin me të.