Kriza te Manchester United vazhdon të nxisë debate dhe i ka lënë thellësisht të shqetësuar ish-yjet e klubit. Pas një tjetër paraqitjeje zhgënjyese të “Djajve të Kuq”, Paul Scholes dhe Wayne Rooney kanë drejtuar kritika të ashpra ndaj skuadrës, duke vënë në shënjestër veçanërisht qëndrimin e lojtarëve.
Scholes u përqendrua te kapiteni Bruno Fernandes, duke vënë në dyshim aftësinë e tij për të udhëhequr grupin pas incidenteve të fundit — veçanërisht komentet e tij në lidhje me trajnerin Michael Carrick pas një humbjeje në Champions League:
“Si mund t’i besojë dikush Bruno Fernandesit si kapiten në çdo ekip ku ai mund të shkojë nga tani e tutje? Mendoj se ai ndoshta duhet të largohet nga futbolli europian dhe të shkojë në Arabinë Saudite — thjesht të largohet nga skena.”
Ish-mesfushori i United shkoi edhe më tej: “Nuk besoj se ndonjë trajner apo anëtar i stafit mund t’i besojë atij pas asaj që ndodhi. Kjo ishte një goditje e drejtpërdrejtë ndaj liderit teknik të ekipit, i cili u akuzua se nuk ofron më besueshmërinë e kërkuar për një rol të tillë”.
Vlerësimi i Wayne Rooney-t ishte edhe më i ashpër; ai kritikoi të gjithë skuadrën për mungesë shpirti gare dhe vetëmohimi: “Nuk mendoj se lojtarët kanë ndonjë justifikim. Unë isha një lojtar që shënoja gola dhe kisha cilësi, por të paktën vrapoja, punoja fort dhe jepja gjithçka për ekipin.”
Legjenda e “Djajve të Kuq” më pas imagjinoi një përballje në dhomat e zhveshjes: “Do të doja shumë të hyja aty, t’i ulja të gjithë dhe t’i pyesja: ‘Çfarë po bëni? Çfarë lloj paraqitjeje është kjo? A mendoni vërtet se e meritoni ta vishni këtë fanellë, duke parë se si lëvizni në fushë?’”.