Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar zyrtarisht për gjykim shtetasen A.H., me profesion notere. Ajo akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato, e kryer më shumë se një herë, sipas nenit 186, paragrafi i tretë, i Kodit Penal.
Hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 1050 të vitit 2019 kanë zbuluar se, gjatë periudhës 2011–2020, e pandehura ka ndërmarrë veprime të përsëritura të falsifikimit të dokumenteve zyrtare në cilësinë e noteres. Organi i akuzës bën me dije se në disa raste ajo dyshohet se “ka hartuar dhe lëshuar akte noteriale duke përdorur emrat e noterëve të tjerë, pa qenë këta të fundit autorë të akteve përkatëse”. Ndërkohë, në raste të tjera janë identifikuar shkelje ku ajo “ka hartuar akte noteriale pa praninë e palëve, ndonëse prania e tyre kërkohej për kryerjen e veprimeve përkatëse”.
Kontratat e automjeteve dhe shkeljet e regjistrimit noterial
Sipas provave të administruara nga hetuesit, shkeljet shtrihen edhe në transaksionet e mjeteve motorike gjatë viteve 2011–2018. Hetimi provoi se përgjatë kësaj periudhe janë hartuar kontrata për shitjen e automjeteve të cilat “nuk janë regjistruar në regjistrat përkatës noterialë të noterëve në emër të të cilëve janë lëshuar”.
Në një numër të konsiderueshëm të këtyre meksanizmave, prokuroria vëren se “është përdorur emri i një notereje me zyrë në Tiranë, ndërsa aktet përkatëse dyshohet se janë hartuar në Fier nga e pandehura”.
Përveç këtij procedimi, ndaj noteres A.H. janë mbyllur hetimet edhe për një tjetër rast paralel. Ndaj saj është ngritur akuza e pandehur në kuadër të procedimit penal nr. 390/2023, po për të njëjtën vepër penale të “Falsifikimit të dokumenteve” nga personi me detyrë shtetërore për lëshimin e tyre, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.
/rtsh.al/