Një 38-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në qytetin e Vlorës, me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Ai është dënuar nga Gjykata e Apelit në Bolonjë me 7 vite, 3 muaj e 15 ditë burgim për disa vepra penale, ndërsa i kanë mbetur për të vuajtur edhe mbi 6 vite burg.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Target 1”, të finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e tij. Në pranga përfundoi shtetasi S. M., alias S. P., 38 vjeç, banues në Selenicë.
Sipas Policisë, 38-vjeçari ishte dënuar në Itali për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, zhvatje dhe tentativë zhvatjeje në bashkëpunim, si dhe për posedim dhe përdorim të mjeteve zjarrvënëse, përfshirë kokteje Molotov, në zonën e Riminit. Gjithashtu, ai është dënuar për falsifikim dokumentesh identifikimi, rikthim të paligjshëm në Itali dhe mbajtje të armëve pa autorizim. Veprimtaritë kriminale për të cilat është dënuar janë kryer gjatë periudhës 1 shkurt 2015–12 shkurt 2020.
Nga dënimi i dhënë, 38-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 6 vite, 4 muaj e 3 ditë burgim.
/rtsh.al/