Saturday, 31. October 2026
Sport

Ligji për të Drejtat e Autorit, sfida kryesore mbetet zbatimi në praktikë dhe garantimi i mbrojtjes reale të krijuesve

GS 31/10/2026 3 Min. Lesezeit

Ligji i ri për të drejtat e autorit i miratuar ne 22 tetor 2026 nga kuvendi i Shqipërisë synon të sjellë një qasje më të plotë në mbrojtjen e krijimtarisë dhe të drejtave të autorëve në Shqipëri.

Drejtoresha Drejtorisë për të Drejtën e Autorit, Borana Ajazi bën të ditur se përtej miratimit të tij, sfida kryesore mbetet zbatimi në praktikë dhe garantimi i mbrojtjes reale të krijuesve, artistëve dhe mbajtësve të të drejtave.

“Ligji është një risi në çdo kuptim të fjalës, sepse për herë të parë normohet në Republikën e Shqipërisë vendosja në dispozicion e veprave me të drejtë autori në fushën digjitale. Ai paraqet gjithashtu një risi, duke ofruar mbrojtje shtesë për autorët. Në ç’kuptim? Secili autor ose mbajtës i të drejtave, i cili vlerëson se vepra e tij është përdorur pa autorizim në fushën digjitale, përfshirë edhe në platformat që ju përmendët, por jo domosdoshmërisht vetëm në to, ka të drejtë të kërkojë mbrojtje ligjore, administrative dhe gjyqësore. Pikërisht këtë bën ky ligj i ri. Ai ofron mbrojtje administrative për të gjithë autorët që nuk kanë mundësi të kontaktojnë drejtpërdrejt këto platforma. Kjo strukturë e dedikuar shërben si urë lidhëse midis autorit dhe platformave. Ju lutem, mbani parasysh se fusha digjitale nuk mund të monitorohet në mënyrë të plotë. Pra, kjo është një nismë që nuk mund të vijë kryesisht nga institucioni shtetëror, por duhet të ndërmerret me kërkesë të mbajtësit të së drejtës”, tha Drejtoresha Drejtorisë për të Drejtën e Autorit.

Më tej Ajazi thekson se hartimi i këtij ligji është realizuar në konsultim me Komisionin Evropian, duke marrë në konsideratë edhe modelet ligjore të disa vendeve të Bashkimit Evropian, si Italia, Greqia dhe Franca. Këto modele kanë shërbyer si referencë për përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet evropiane.

“Bashkëpunimi është i plotë dhe konkret, sepse tashmë Shqipëria, të paktën në fushën e të drejtës së autorit, nuk konsiderohet më një vend që ka perspektivën për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, por një vend që ka plotësuar tashmë kushtet kryesore për të qenë pjesë e Bashkimit Europian në këtë fushë”, tha ajo.

Zbatimi efektiv i ligjit kërkon bashkëpunimin e institucioneve përgjegjëse, organizatave të administrimit kolektiv, por edhe ndërgjegjësimin e subjekteve që përdorin vepra të mbrojtura nga e drejta e autorit.

/rtsh.al/

Teilen: