Protesta e studentëve, pedagogëve dhe të rinjve vijon këtë të shtunë (31 tetor) në Tiranë, ku tubimi ka nisur përpara godinës së Ministrisë së Arsimit.
Studentët kanë refuzuar ftesat për dialog të kryeministrit Edi Rama, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre duhet të plotësohen përpara nisjes së çdo procesi negociues. Ndërkohë, kreu i qeverisë ka përsëritur edhe sot ftesën për dialog, duke vendosur përfaqësuesit e tij përpara godinës së Kryeministrisë.
Sipas raportimit të gazetares së RTSH-së, Keti Toroveci, situata para Ministrisë së Arsimit paraqitet e qetë, ndërsa protestuesit pritet të ndahen në dy grupe.
“Situata është e qetë për momentin. Në orën 12:00 studentët dhe pedagogët do të mblidhen para Ministrisë së Arsimit, ndërsa një pjesë tjetër e protestuesve do të mblidhen para Kryeministrisë. Bëhet fjalë që kjo pjesë do të mblidhet në orën 14:00”, u shpreh gazetarja.