Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar këtë të shtunë në aksin Lezhë-Manati, pranë lagjes Gurra në Lezhë.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Benz”, që drejtohej nga një i ri, ka humbur kontrollin gjatë lëvizjes, duke u përplasur fillimisht me disa objekte në anë të rrugës. Si pasojë e përplasjes së fortë, mjeti është përmbysur në rrugë.
Drejtuesi i automjetit ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Nga verifikimet e para në vendngjarje, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë e automjetit, ndërsa rrethanat e plota po hetohen nga policia.
Në vendin e ngjarjes mbërritën shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për dokumentimin e plotë të aksidentit dhe sqarimin e shkaqeve që çuan në humbjen e kontrollit të mjetit.
/rtsh.al/