Sunday, 1. November 2026
Sport

Edi Rama: “Pasqyra Albania” e bën administratën transparente, ndjek në kohë reale çdo kërkesë e investim të qeverisë

GS 01/11/2026 3 Min. Lesezeit

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot “Pasqyra Albania”, një platformë digjitale që synon të transformojë marrëdhënien mes qytetarëve dhe administratës publike.

Sipas tij, kjo është “pasqyra ku administrata do të shohë vetveten”, ku asnjë hall i qytetarit nuk do të humbasë më në sirtarët e burokracisë dhe asnjë shkaktar vonese nuk do të fshihet më pas murit të procedurave.

Platforma, e zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit mbështetet mbi disa shtylla kryesore që i japin qytetarit kontroll dhe informacion të plotë në kohë reale.

“Një qytetar nga Vlora do të shohë se çfarë po bëhet aktualisht në zonën e tij, në çfarë stadi janë projektet, për projekte që për një arsye apo për një tjetër mund të jenë të pezulluara apo të vonuara”, deklaroi kryeministri Rama.

Sipas tij, kjo mundësi i jep qytetarit instrumentin për të ballafaquar vetë “gjysmë-të-vërtetat” dhe informacionin e pasaktë që qarkullon në media e portale.

Shtylla e dytë, e quajtur “Kupto”, i jep qytetarëve mundësinë të njihen në kohë reale me vendimet dhe projektvendimet e Këshillave Bashkiakë.

Sipas ekspertit të AKSHI-t, që nga muaji shtator janë publikuar të gjitha vendimet e miratuara. Për ta lehtësuar këtë proces, është zhvilluar edhe një asistent virtual që i ofron qytetarit një përmbledhje të vendimeve më të fundit të bashkisë së tij.

Ai shpjegoi më tej se shtylla më e rëndësishme është hapësira personale e qytetarit, ku duke u identifikuar me llogarinë e-Albania, çdo qytetar do të mund të ndjekë statusin e aplikimeve, shërbimeve dhe ankesave të tij.

Kryeministri e krahasoi këtë sistem me shërbimin e postës ekspres: “Do ta kthejmë çdo hall, çdo kërkesë, çdo ankesë, çdo problem në një pako DHL-je. Ashtu siç ndjekim një pako, do të ndjekim edhe ankesën apo kërkesën”.

Qytetari sheh statusin e “pakos” së tij, ndërsa hierarkia institucionale sheh në kohë reale se ku ngec procedura.

Sipas ekspertit të AKSHI-t, çdo shërbim ka një afat ligjor dhe kur afati kalon, sistemi e shënon menjëherë, qytetari njoftohet me SMS dhe i ofrohet linku për të bërë ankesë, e cila regjistrohet me kod unik.  Ndërsa shtoi se ankesat ndiqen nga struktura e bashkëqeverisjes dhe gjenerojnë alerte për hierarkinë e institucionit përkatës.

Nga ana e tij, kryeministri vuri në dukje se “Pasqyra Albania” synon të eliminojë diskutimet e pafundme nëse “u mor apo nuk u mor përgjigje”. Përmes kësaj platforme pretendohet të rritet llogaridhënia e administratës dhe të fuqizojë qytetarin me informacion të drejtpërdrejtë e të verifikueshëm.

/rtsh.al/

Teilen: