Tuesday, 3. November 2026
Sport

Tragjedi në Itali, 21-vjeçari shqiptar vret me thikë nënën 39-vjeçare

GS 03/11/2026 2 Min. Lesezeit

Një 21-vjeçar shqiptar ka qëlluar për vdekje me thikë mamanë e tij, 39-vjeçaren Meleqe Lusha, në banesën e tyre familjare në rrugën Via Tagliata, në qytetin Chiari, në provincën e Breshias, Itali. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar, ndërsa pas krimit i riu është larguar nga banesa, për t’u dorëzuar më vonë në mënyrë vullnetare pranë karabinierëve në Kremona.

Sipas mediave italiane, ishte vetë 21-vjeçari ai që u tregoi efektivëve për ngjarjen. Pas mbërritjes në apartament, karabinierët gjetën trupin e pajetë të 39-vjeçares. I riu, Eduart Xhani, i lindur në San Bonifacio të Veronës, u paraqit këtë mëngjes në kazermat e karabinierëve në Kremona, ku dorëzoi veten tek autoritetet.

Ndërkohë, specialistët e Seksionit të Hetimeve Shkencore të Komandës Provinciale të Karabinierëve në Breshia kanë kryer këqyrjen e banesës, me qëllim mbledhjen e provave dhe rindërtimin e dinamikës së ngjarjes. Hetuesit po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të krimit dhe për të përcaktuar motivin që çoi në vrasjen e 39-vjeçares.

Deri më tani, autoritetet italiane nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi motivet e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë.

/rtsh.al/

Teilen: