Juventusi zhvilloi Asamblenë e Aksionarëve, ku në rendin e ditës ishte miratimi i bilancit financiar për sezonin 2025/26, i mbyllur me një humbje prej 66 milionë eurosh, edhe për shkak të moskualifikimit në Champions League.
Situata do të kërkojë një tjetër rritje kapitali deri në 250 milionë euro, e cila do të mbulohet kryesisht nga aksionari mazhoritar, Exor. Pas hapjes së punimeve nga presidenti Gianluca Ferrero, fjalën e mori administratori i deleguar Giovanni Carnevali, i cili prej 4 muajsh është pjesë e klubit.
“Ndjej shumë krenari dhe emocion, por edhe një përgjegjësi të madhe për vlerat që përfaqëson Juventusi. Na pret një detyrë e vështirë, por i dua sfidat. Vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta, por tifozët meritojnë të qëndrojmë të bashkuar, të rikthejmë ndjenjën e përkatësisë dhe entuziazmin”, – deklaroi ai.
Për projektin sportiv, Carnevali theksoi rëndësinë e planifikimit, të rinjve dhe futbollistëve italianë, duke përfshirë ekipin e parë, Next Gen dhe akademinë.
Duke paralajmëruar angazhim edhe në merkaton e janarit, ai shtoi: “E njohim situatën e vështirë. Kemi një marrëveshje me UEFA-n për respektimin e parametrave financiarë, që nuk na lejon të bëjmë gjithçka që dëshirojmë. Megjithatë, do të punojmë për ta kthyer Juventusin në një klub të madh”.