Grabitja e bankës së nivelit të dytë në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ku u morën rreth 60 mijë euro, zgjati vetëm tre minuta. Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa policia po shqyrton disa pista, përfshirë mundësinë që autori të jetë ndihmuar nga persona të tjerë.
Sipas hetuesve, grabitësi kishte informacion të saktë mbi vendndodhjen e parave brenda bankës. Kjo ka ngritur dyshimet se ai mund të ketë pasur bashkëpunëtorë, madje edhe mes punonjësve të institucionit financiar. Megjithatë, deri më tani nuk ka prova që të konfirmojnë përfshirjen e ndonjë punonjësi.
Një tjetër pistë që po verifikohet nga policia lidhet me një person të dyshuar se mund ta ketë vëzhguar bankën përpara grabitjes. Hetuesit kanë krijuar dyshime për rolin e tij, por ende nuk disponojnë prova konkrete për përfshirjen në ngjarje.
Paralelisht, grupi hetimor po verifikon nëse i njëjti autor mund të jetë përgjegjës edhe për një tjetër grabitje banke të ndodhur në muajin qershor, në një zonë jo shumë larg Komunës së Parisit. Dyshimet janë ngritur për shkak të ngjashmërive në mënyrën e largimit, pasi në të dyja rastet autori dyshohet se ka humbur gjurmët në të njëjtin vend.
Si ndodhi grabitja?
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, autori, i maskuar, ka hyrë në ambientet e bankës dhe i është drejtuar drejtpërdrejt arkëtares. Nën kërcënimin e armës, ai ia ka vendosur atë në kokë, duke e detyruar t’i dorëzonte paratë.
Pasi ka marrë shumën prej rreth 60 mijë eurosh, grabitësi është larguar nga banka. Më pas ka marrë një monopatinë dhe është larguar me të.
Policia po analizon kamerat e sigurisë dhe provat e mbledhura në vendngjarje.
/rtsh.al/