Peshëngritësja 15-vjeçare që përfaqëson Kosovën, Emily Ibanez, ka realizuar një paraqitje të jashtëzakonshme në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, që po mbahet në Ningbo të Kinës.
Ibanez garoi të martën në kategorinë deri në 69 kilogramë, ku arriti të renditet në vendin e pestë në klasifikimin e përgjithshëm, duke regjistruar një rezultat prej 240 kilogramësh në dygarësh.
Përfaqësuesja e Kosovës ngriti 106 kilogramë në shkëputje dhe 134 kilogramë në shtytje, duke përmirësuar rekordet e saj botërore për të reja në të tria disiplinat.
Në fakt, Emily arriti të vendosë gjithsej shtatë rekorde botërore për të reja gjatë kësaj gare. Ajo përmirësoi dy herë rekordin në shkëputje, dy herë në shtytje dhe tri herë në rezultatin e përgjithshëm të dygarëshit.
Një tjetër detaj që e bën edhe më të veçantë këtë sukses është fakti se Ibanez garoi në Grupin B, pra jo në sesionin ku garuan peshëngritëset më të mira të kategorisë. Megjithatë, me rezultatin e saj prej 240 kilogramësh, ajo përfundoi para tetë garueseve të Grupit A.
Medaljen e artë në këtë kategori e fitoi Song Kuk-hyang nga Koreja e Veriut, me 275 kilogramë në total, e cila gjithashtu vendosi tri rekorde botërore për seniorë. Pas saj u renditën Ri Suk nga Koreja e Veriut me 259 kilogramë, Julieth Rodriguez nga Kolumbia me 245 kilogramë dhe Siuzanna Valodzka nga Bjellorusia me 244 kilogramë.
Ky është një tjetër sukses i rëndësishëm për Ibanezin, e cila vetëm pak javë më parë fitoi tri medalje të arta në Kampionatin Evropian për juniorë në Durrës, duke vendosur edhe atëherë rekorde botërore për të reja.
Emily Ibanez përfaqëson Kosovën së bashku me vëllain e saj, Brayanin, ndërsa të dy synojnë të arrijnë normat për Lojërat Olimpike të Los Anxhelosit 2028.