Tuesday, 3. November 2026
Sport

Plagoset me armën e shërbimit një efektiv në Bazën Ajrore të Kuçovës, ushtaraku ndodhet jashtë rrezikut për jetën

GS 03/11/2026 2 Min. Lesezeit

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se më 3 nëntor 2026, rreth orës 16:46, ka ndodhur një incident gjatë kryerjes së shërbimit në Bazën Ajrore të Kuçovës, ku është plagosur në shpatull me armën e shërbimit efektivi me inicialet E.D.

Menjëherë pas ngjarjes, efektivit i është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe është transportuar për kontroll fillestar në Spitalin Rajonal të Beratit.

Gjendja shëndetësore dhe transferimi drejt Tiranës

Sipas njoftimit për shtyp, mjekët që ekzaminuan ushtarakun kanë konfirmuar se gjendja e tij është e stabilizuar. Sipas vlerësimit zyrtar mjekësor, “parametrat jetësorë janë brenda normës dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën”.

Për të marrë përkujdesje më të specializuar, efektivi “është nisur drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, për të vijuar trajtimin mjekësor të specializuar”.

Hetimet e Policisë Ushtarake

Lidhur me shkaqet e këtij incidenti, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë strukturat e hetimit ushtarak. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se “Policia Ushtarake ndodhet në vendngjarje dhe po vijon procedurat për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes”.

Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se po ndjek nga afër situatën dhe ecurinë e gjendjes shëndetësore të ushtarakut, duke i uruar atij shërim të shpejtë.

/rtsh.al/

 

Teilen: