Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Leon Avdullahu mund ta bëjë hapin e madh në karrierë gjatë verës së vitit të ardhshëm.
Mësohet se skuadra nga La Liga, Atletico Madriti ka shprehur interesim për mesfushorin e Hoffenheimit, ka sajti “fussballtransfer” të mërkurën.
Sipas mediumit të specializuar për transferime, trajneri i Atleticos, Diego Simeone, ka kërkuar nga drejtuesit e klubi të nisin negociatat me Hoffenheimin për transferimin e Avdullahut.
“Në verë kishte disa skuadra spanjolle të interesuara. Megjithatë, Hoffenheimi e bllokoi transferimin, pasi ishte i vendosur ta mbante Avdullahun të paktën edhe një vit tjetër. Mesfushori është lojtar kyç te Hoffenhemi, i cili në vitin 2025 e bleu për tetë milionë euro nga Baseli”, shkruan mediumi gjerman.
Avdullahu 22-vjeçar, ka kontratë me Hoffenheimin deri në vitin 2031, ndërsa në sezonin aktual ka shënuar 1 gol në 13 paraqitje në të gjitha garat.