Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e së mërkurës në Bulqizë, ku një 29-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është qëlluar aksidentalisht me armë gjahu gjatë një gjuetie.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë, rreth orës 13:40, në pyllin e fshatit Fushë-Sopot, shtetasi B. F., 44 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se teksa po gjuante një kafshë të egër, ka qëlluar nga pakujdesia shtetasin E. L., 29 vjeç, banues në fshatin Strikçan.
Si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat, 29-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Pas ngjarjes, 44-vjeçari është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Bulqizë për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa arma e gjahut e dyshuar si e përdorur në ngjarje është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe zbardhjen e shkakut të kësaj ngjarjeje tragjike.
Policia pritet të përcaktojë pas hetimeve nëse bëhet fjalë për një aksident gjatë gjuetisë apo nëse ka elementë të tjerë që lidhen me ngjarjen.
/rtsh.al/