Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e djeshme në qytetin e Burrelit, në lagjen “Pjetër Budi”, ku një 43-vjeçare dyshohet se ka tentuar t’i vërë flakën babait të saj.
Sipas të dhënave paraprake, shtetasja me inicialet M.M. dyshohet se e ka lyer të atin me benzinë dhe më pas i ka vënë flakën. Si pasojë e këtij veprimi, i moshuari ka pësuar djegie në fytyrë dhe është transportuar me urgjencë në spital, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Pas njoftimit për ngjarjen, policia ka ndërhyrë duke bërë të mundur arrestimin e 43-vjeçares, e cila dyshohet se është autore e këtij akti të rëndë brenda familjes.
Ndërkohë, sipas burimeve nga policia, gruaja nuk ka shfaqur shenja pendese pas ngjarjes, ndërsa kjo rrethanë mbetet pjesë e informacionit që po verifikohet nga hetuesit.
Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe për të përcaktuar motivet që çuan 43-vjeçaren drejt këtij veprimi.
Materialet përkatëse pritet t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
/rtsh.al/