Pas fitores 3:2 në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë muajin e kaluar, Kombëtarja e Kosovës në futsall është gati edhe për një duel tjetër, por dukshëm më të vështirë.
Kosova përballë do ta ketë Italinë, dy herë kampionen e Evropës, ndeshje kjo që luhet sot nga ora 20:00 në Prishtinë dhe i takon xhiros së dytë në Grupin 10 të raundit kryesor për kualifikim në Botërorin 2028.
Italia dhe Kosova, janë të parat në grup me nga tri pikë të tubuara pas një xhiroje të zhvilluar në kuadërtë kualifikimeve.
Te Kosova presin një ndeshje të fortë me Italinë, që e shohin si kundërshtar të rrezikshëm por insistojnë se janë gati ta sfidojnë jo vetëm në parket por edhe me përkrahjen e tifozëve nga tribunat.
Italia u shpall kampione e Evropës në vitin 2003 dhe 2014, ndërsa në vitin 2004 doli nënkampione e Botës, ku në dy raste tjera përfundoi e treta në Botëror.
Katër ditë pas ndeshjes në Prishtinë, Kosova e luan ndeshjen kthyese ndaj Italisë në udhëtim kurse kampanjën kualifikuese e mbyll me duelin në shtëpi ndaj Gjeorgjisë, që zhvillohet më 24 shkurt të vitit të ardhshëm.
Vetëm fituesit e 12 grupeve sa janë gjithsej dhe katër më të mirat e vendeve të dyta do të sigurojnë vend për në “Elite Round”.
Tetë kombëtaret e tjera të vendeve të dyta do ta kërkojnë kualifikimin tutje nëpërmjet plejofit, ku vetëm katër prej tyre avancojnë po ashtu në raundin e fundit të kualifikimeve.