Një tjetër futbollist që ka përfaqësuar Shqipërinë në nivelet e moshave pritet të vazhdojë karrierën ndërkombëtare me Turqinë. Bëhet fjalë për Arda Kurtulan, i cili ka vendosur të zgjedhë fanellën e kombëtares turke, duke mbyllur kështu mundësinë e aktivizimit me Shqipërinë.
Lajmin e ka konfirmuar Mehmet Sepil, president nderi i Goztepes, i cili ka zbuluar se futbollisti është kontaktuar nga përfaqësuesit e Federatës Turke. Megjithatë, Kurtulan nuk do të jetë pjesë e ndeshjeve të nëntorit kundër Belgjikës dhe Francës, pasi procedurat për ndryshimin e përfaqësueses nuk kanë përfunduar ende në kohë.
Shqipëria kishte mundësinë ta afronte më herët lojtarin, veçanërisht pasi ai përfundoi angazhimin me ekipin U-21, por një ftesë nga Kombëtarja A nuk u konkretizua. Tashmë, vendimi i futbollistit duket i qartë.
Ky zhvillim përbën një humbje për kuqezinjtë, sidomos duke pasur parasysh pozicionin ku aktivizohet Kurtulan. Mbrojtësi i djathtë është një repart ku Shqipëria ka nevojë për alternativa të reja dhe cilësore për të ardhmen. Ndërkohë, Elseid Hysaj vijon të jetë një nga zgjedhjet e preferuara në këtë pozicion, pavarësisht se prej disa muajsh është pa ekip.
Deklarata e Mehmet Sepil:
“Arda Okan Kurtulan u kontaktua dje nga zyrtarët e Kombëtares së Turqisë. Duke qenë se më parë ka luajtur me moshat e Shqipërisë, atij iu bë e ditur se duhet të zgjidhte zyrtarisht përfaqësuesen që dëshiron.
Arda deklaroi se, natyrisht, preferenca e tij është Kombëtarja turke. Për shkak se disa procedura nuk arritën të përfundonin në kohë, ai nuk mund të përfshihej në listën e lojtarëve për ndeshjet kundër Belgjikës dhe Francës.
Në vazhdim, nëse merr një ftesë nga Kombëtarja, Arda do të veshë fanellën e Turqisë”, u shpreh Mehmet Sepil, president nderi i Goztepes.