Futbollisti Anis Mehmeti ka reaguar pas lajmeve që qarkulluan lidhur me mosgrumbullimin e tij në Kombëtaren shqiptare, duke mohuar pretendimet se kishte fshirë postimet me fanellën kuqezi për shkak se nuk ishte përfshirë në listën e lojtarëve të thirrur.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Mehmeti ka sqaruar se këto pretendime janë plotësisht të pavërteta, ndërsa ka theksuar se përfaqësimi i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet një krenari e veçantë për të.
“Dua të sqaroj disa lajme që po qarkullojnë së fundmi në lidhje me mua dhe Kombëtaren shqiptare. Pretendimet se kam fshirë postimet me fanellën e Kombëtares për shkak të mosgrumbullimit të fundit janë plotësisht të pavërteta”, shkruan futbollisti.
Më tej, Mehmeti thekson se mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj përfaqësueses kuqezi dhe se do të jetë gjithmonë i gatshëm të japë kontributin e tij nëse i jepet mundësia për t’u rikthyer në të ardhmen.
“Përfaqësimi i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet gjithmonë një krenari e veçantë për mua. Jam plotësisht i përkushtuar ndaj Kombëtares dhe do të jem gjithmonë i gatshëm sa herë që të më jepet mundësia ta përfaqësoj në të ardhmen”, përfundon reagimi i tij.
