Mbrojtësi i krahut, Ivan Balliu ka vendosur të tërhiqet nga Kombëtarja e Shqipërisë.
Lajmin për tërheqjen e futbollistit të Rayo Vallecanos, e ka bërë të ditur presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, të hënën.
Duke ka falënderuar Balliun për kontributin e tij, ndërsa e ka cilësuar si një futbollist me cilësi të veçanta.
“Faleminderit nga zemra që zgjodhe Shqipërisë, që përfaqësove rrënjët tua dhe që i dhe kaq shumë Kombëtares. Uroj që ky rrugëtim me Shqipërinë të ketë qenë po aq i veçantë për ty sa ka qenë për ne të të kishim në ekip”, ka shkruar Duka në rrjetet sociale.
Balliu, i cili luan në Spanjë te skuadra e Vallecanos, me fanellën e Shqipërisë ka regjistruar 24 paraqitje prej tetorit të vitit 2017 kur debutoi.
34-vjeçari ishte pjesë e Kombëtares së Shqipërisë në “Euro 2024”, turne në të cilën e luajti një ndeshje.