Tuesday, 10. November 2026
Sport

Banesat monumente kulture sfidë mirëmbajtja, kërkojnë ndërhyrje të thella

GS 10/11/2026 2 Min. Lesezeit

Dhjetëra banesa Monumente Kulture në qytetin e Shkodrës kanë nevojë për ndërhyrje të thella restauruese për shkak të amortizimit ndër vite. Nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore kryhen në vazhdimësi punime mirëmbajtjeje por sipas drejtuesve të institucionit, gjendja e disa prej tyre kërkon ndërhyrje më të specializuara. Ndërkohë rëndësi të veçantë në ruajtjen e vlerave historike të këtyre banesave ka edhe kujdesi dhe angazhimi i vetë pronarëve apo familjarët që banojnë në këto objekte.

“Ka disa tipologji të ndërhyrjeve. Ato shpeshherë janë të përbashkëta, ndërsa vetë banorët duhet të përgjigjen për hapësirat e tyre që kanë në shfrytëzim”, u shpreh Drejtues i DRTK Shkodër, petrit Bilali.

Po sipas DRTK Shkodër, në shumë raste problematikat që lidhen me pronësinë dhe bashkëpronësinë e banesave Monumente Kulture, bëhen pengesë për realizimin e ndërhyrjeve restauruese.

“Mospasja e qartë e pronësisë së objekteve i ka lënë ato në harresë dhe ka bërë që të degradojnë. Shpeshherë nuk kemi pasur aksesin e duhur. Kemi pasur monumente ku nuk kemi pasur mundësi të hyjmë dhe t’i shohim”, tha ai.

Shkodra ka rreth 150 objekte të certifikuara si Monumente Kulture. Një pjesë e tyre, përfshirë edhe objekte në zonën historike, ndodhen në gjendje të amortizuar dhe në rrezik shembje. Restaurimi i këtyre banesave mbetet një sfidë jo vetëm për institucionet përgjegjëse, por edhe për ruajtjen e identitetit historik dhe kulturor të Shkodrës.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/

Teilen: