Tuesday, 10. November 2026
Sport

FFK me bileta shtesë në shitje, tifozët e Izraelit nuk udhëtojnë

GS 10/11/2026 2 Min. Lesezeit

Federata e Futbollit të Kosovës, ka njoftuar të gjithë tifozët se po vazhdon shitja e biletave për ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër Izraelit.

Ndeshja Kosovë – Izrael, do të zhvillohet të shtunën prej orës 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” kurse FFK pret që tribunat të mbushen për t’i përkrahur “Dardanët” në këtë ndeshje të rëndësishme.

Në fakt, FFK ka nxjerrë në shitje biletat për sektorin e tribunave të rezervuar për tifozët e Izraelit, të cilët nuk do të udhëtojnë në Prishtinë.

“Pas konfirmimit zyrtar nga Federata e Futbollit e Izraelit se tifozët izraelitë nuk do të udhëtojnë drejt Kosovës, sektori i tribunave i rezervuar paraprakisht për ta, në përputhje me rregulloret e UEFA-s, tashmë është liruar dhe është në dispozicion për blerje nga tifozët vendas”, ka shkruar FFK.

Kështu që, federata ka ftuar të gjithë tifozët e Kosovës ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të siguruar biletat dhe për të qenë në stadium për duelin me Izraelin.

Biletat shtesë janë në dispozicion për sektorin e tribunës J1 me çmim prej 20 eurosh dhe sektorin e tribunës P2 me çmim 50 euro kurse ka edhe bileta të sektorëve VIP1 dhe VIP2, që kushtojnë nga 150 euro.

Teilen: