Studentët janë rikthyer këtë të mërkurë në protestë, duke u mbledhur në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit, në vijim të kërkesave të tyre dhe thirrjeve për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, këtë javë lëvizja studentore ka ndryshuar mënyrën e organizimit. Sipas raportimit të gazetares së RTSH-së, Keti Toroveci, protestat kombëtare do të zhvillohen dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë, në orën 14:00.
Tubimi i sotëm është i pari që zhvillohet sipas këtij kalendari të ri. Studentët janë organizuar fillimisht në fakultetet përkatëse dhe më pas janë drejtuar drejt godinës së Ministrisë së Arsimit.
Pjesëmarrja në protestën e sotme është më e ulët, ndërsa situata para institucionit paraqitet e qetë. Megjithatë, studentët vijojnë të përsërisin thirrjet kundër qeverisë, duke theksuar se nuk do të ndalen pa dorëheqjen e kryeministrit. “Pa dorëheqje nuk ndalojmë”, është një nga sloganet që dëgjohen gjatë tubimit.