Wednesday, 11. November 2026
Sport

KOK-u pret ambasadorin britanik, diskutohet bashkëpunimi për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

GS 11/11/2026 1 Min. Lesezeit

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm Besim Aliti, kanë pritur ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Gjatë takimit, presidenti Krasniqi e njoftoi ambasadorin për sukseset e sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare, duke veçuar medaljet olimpike dhe rolin e tyre në promovimin e Kosovës në botë.

Ai foli edhe për angazhimin e KOK-ut në mbështetjen e sportistëve, zhvillimin e talenteve të reja dhe krijimin e kushteve më të mira për përgatitje dhe pjesëmarrje në garat ndërkombëtare.

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte mundësia e thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e sportit, me fokus të veçantë në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e shkëmbimit të përvojave me Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht në organizimin e ngjarjeve të mëdha shumësportëshe, duke marrë si shembull Lojërat Olimpike Londra 2012.

 

Teilen: