Me afrimin e stinës së dimrit dhe shtimin e rrezikut nga reshjet intensive, strukturat e Emergjencave Civile në Shkodër kanë nisur marrjen e masave për përballimin e situatave të mundshme emergjente. Në këtë kuadër, prefektja e Qarkut Shkodër tha se fokus i veçantë po i kushtohet koordinimit mes institucioneve përgjegjëse.
“Gjithsecili nga institucionet ka vendosur një plan masash, të cilat po vijon t’i vërë në zbatim, dhe institucioni i Prefektit të Qarkut do të jetë institucioni që do të vijojë me monitorimin e zbatimit të këtyre masave që kemi përcaktuar”, u shpreh Holta Duda, prefekte e Qarkut Shkodër.
Prioritet mbetet pastrimi i kanaleve kulluese dhe sistemimi i infrastrukturës së ujërave, veçanërisht në zonën e Nënshkodrës dhe në Bashkinë Vau i Dejës, ku problematikat e kullimit mund të ndikojnë në përmbytjen e tokave bujqësore dhe zonave të banuara. Është kërkuar që njësitë vendore të intensifikojnë punën për pastrimin e kanaleve, largimin e mbetjeve dhe eliminimin e pengesave në rrjedhën e ujit.
“Në mënyrë të padiskutueshme, një pikë shumë e rëndësishme është pastrimi i kanaleve kulluese, ku secila nga bashkitë ka paraqitur planet e veta, të cilat kanë filluar tashmë t’i vënë në zbatim. Kjo falë bashkëpunimit shumë të ngushtë dhe për t’u përgëzuar të njësive të vetëqeverisjes vendore me Bordin e Kullimit”, tha Duda.
Autoritetet u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të mos mjaftohen vetëm me evidentimin e problematikave, por të ndërhyjnë në kohë për marrjen e masave konkrete. Parandalimi dhe koordinimi mes institucioneve mbeten thelbësore për të shmangur pasojat që mund të sjellin reshjet e dendura, veçanërisht në zonat me rrezik të lartë për përmbytje.
Gazetar : M. Gjoni
/rtsh.al/