Në vijim të turit të takimeve me drejtuesit e shkollave në të gjitha drejtoritë rajonale dhe zyrat arsimore vendore të arsimit parauniversitar të vendit, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro pati një takim me drejtuesit e institucioneve arsimore të zyrave arsimore vendore të Durrësit, Shijakut dhe Krujës. Duke folur për prioritetet, nismat dhe kalendarin e aktiviteteve të vitit shkollor 2026-2027, ministrja Kumbaro theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe prindërve ku një rol të rëndësishëm kanë drejtuesit e shkollave si ndërmjetës të një komunikimi të vazhdueshëm.
“Ne jemi gjithë kohën në komunikim sepse ndryshe, kjo përgjegjësi kaq e madhe që ne kemi të gjithë bashkë, nuk mbahet nëse nuk jemi çdo ditë të lidhur dorë për dorë së bashku. Duke qenë se përgjegjësia që ne mbajmë mbi supe është çdo ditë e më e madhe, patjetër dhe çdo vit e më e madhe, na nevojitet që komunikimin ta kemi më të shtuar dhe t’i ndajmë problemet çdo ditë. Unë mendoj se në të gjitha figurat e skuadrës së arsimit, roli, personazhi më i rëndësishëm dhe përgjegjësia më e madhe është tek drejtuesi i shkollës.
E vetmja mënyrë që ne kemi për ta lidhur urën janë prindërit. Dua ta theksoj që është po aq pjesë e detyrës sonë që ju të mbani komunikimin me prindërit siç mbani komunikimin me nxënësit: sa dhe si e zbatojmë ne detyrën tonë që ka të bëjë me jetën e këtyre fëmijëve që nesër janë studentë dhe nesër do të jenë mësues, mjekë, etj. Secili nga ne ka në dorë të kontribuojë sado pak në cilësinë e jetës së atij fëmije dhe nesër në atë të lagjes, shoqërëisë, qytetit ku të gjithë ne jetojmë. E vetmja mënyrë është që shkolla të jetë e lidhur me prindin”, tha ministrja Kumbaro.
Gjatë këtij takimi, ministrja Kumbaro vizitoi edhe mjediset e shkollës “Naim Frashëri” në Durrës në të cilin viti shkollor ka nisur së bashku me programin “Pas Shkolle” që është mirëpritur nga nxënësit, prindërit dhe gjithë komuniteti.
/rtsh.al/