Thursday, 12. November 2026
Sport

Tjetërsimi i 44 mijë metrave katrorë tokë në Fier, 4  të arrestuar, mes tyre edhe ish-kreu i kadastrës

GS 12/11/2026 2 Min. Lesezeit

Tjetërsimi i një sipërfaqeje prej 44 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Povelçit ka çuar në pranga katër persona, mes tyre edhe drejtorin aktual të Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja. Prona, e cila dyshohet se ka qenë në pronësi të shtetit, është regjistruar si pronë private dhe më pas u është shitur investitorëve për ndërtimin e një parku fotovoltaik.

Sipas dyshimeve të hetimit, skema e tjetërsimit të pronës është realizuar gjatë periudhës kur Arben Voja drejtonte Kadastrën e Fierit. Sipërfaqja që rezultonte fillimisht pronë shtetërore dyshohet se është regjistruar në mënyrë të paligjshme në emër të personave privatë, për t’u kaluar më pas te investitorët e projektit fotovoltaik.

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për Arben Vojën, ish-drejtues i Kadastrës së Fierit, Dilaver Shytin, ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas, Fjorelo Bidën, punonjëse të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier, si dhe noteren Anila Haxhiu.

Ndërkohë, për Arbina Jaupajn, gjithashtu punonjëse e Kadastrës Fier, është vendosur masa “Detyrim paraqitjeje”, së bashku me ndalimin e daljes jashtë shtetit.

/rtsh.al/

Teilen: