Friday, 13. November 2026
Sport

Moti i keq shkakton vërshime në Theth dhe Malësi të Madhe, dëmtohet ura dhe bllokohet aksi Theth-Ndërlysaj

GS 13/11/2026 2 Min. Lesezeit

Reshjet intensive të shiut në zonat malore të qarkut të Shkodrës dhe rritja e menjëhershme e prurjeve të përrenjve dhe lumenjve malorë kanë shkaktuar gjatë ditës së sotme vërshime të rrëmbyeshme në disa zona të Thethit dhe Malësisë së Madhe.

Sipas përditësimit të situatës nga strukturat e mbrojtjes civile, gjendja në zonën e Thethit paraqitet aktualisht drejt normalizimit, ndërsa reshjet kanë vijuar me intensitet të ulët deri mesatar.

Problematikat kryesore janë raportuar në infrastrukturën rrugore. Ura mbi Përroin e Shalës në Theth rezulton e dëmtuar, ndërsa aksi rrugor Theth-Ndërlysaj vijon të mbetet i bllokuar si pasojë e rënies së materialeve inerte në trupin e rrugës.

Ekipet dhe mjetet e Bashkisë Shkodër ndodhen në terren, ku po punojnë për pastrimin e akseve rrugore Theth-Ndërlysaj dhe Prekal-Theth, me synim rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit dhe garantimin e sigurisë së lëvizjes.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve dhe të gjithë përdoruesve të këtyre akseve rrugore të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të udhëtojnë vetëm në raste emergjente, duke respektuar udhëzimet e strukturave përgjegjëse në terren.

Ndërkohë, në Bashkinë Malësi e Madhe, në fshatin Preknicaj, Njësia Administrative Shkrel, si pasojë e rritjes së prurjeve të lumit është konstatuar prani uji në rrugën që lidh katër familje me aksin kryesor, duke vështirësuar kalimin. Megjithatë, nuk raportohet prani e ujit në banesa.

Në bashkitë Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nuk raportohen problematika apo emergjenca.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, së bashku me strukturat e mbrojtjes civile, vijon monitorimin e situatës dhe mbetet në gatishmëri për ndërhyrje në rast nevoje.

Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe për çdo problematikë të kontaktojnë Emergjencat Civile, duke ndjekur njoftimet zyrtare.

/rtsh.al/

Teilen: