Një grup protestuesish u mblodhën sërish mbrëmjen e sotme përpara godinës së Kryeministrisë, duke tentuar të bllokojnë qarkullimin e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Forcat e policisë të pozicionuara në terren u bënë thirrje protestuesve nëpërmjet megafonëve të mos bllokonin rrugën dhe të lironin aksin rrugor. Pas mosbindjes, efektivët ndërhynë duke e zhvendosur grupin e protestuesve në trotuarin përballë Kryeministrisë, me qëllim normalizimin e trafikut.
Gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit, disa prej pjesëmarrësve kundërshtuan me forcë veprimet e policisë, çka solli shoqërimin e tyre në komisariat nga efektivët. Situata u vu më pas nën kontroll dhe qarkullimi në bulevard vijoi normalisht.
/rtsh.al/