Wednesday, 18. November 2026
Sport

Rocco Vata thotë se është sharë nga lojtarët e Kosovës

GS 18/11/2026 3 Min. Lesezeit

Mesfushori 21-vjeçar, Rocco Vata, luajti prej minutës së 84-t për Irlandën në fitoren 3:0 ndaj Kosovës, të martën mbrëma në Dublin. Rocco është djali i Rudi Vatës, ish-kapitenit të Shqipërisë.

Ai ka pretenduar se në një moment është sharë nga lojtarët e Kosovës.

Për Vatën ishte ndeshja e parë për Irlandën në shtëpi. Ai gjithsej i ka katër paraqitje për Irlandën.

“Kur isha në zonën e rrezikshme dhe përpiqesha të shpërqendroja portierin, ata thanë disa gjëra. E kuptova”, ka thënë Vata pas ndeshjes, shkruan mediumi “the42.ie”.

“Më thanë ‘ti je shqiptar’ dhe më pas më shanë. Unë iu përgjigja: ‘po, s’ka problem’. Lojtari erdhi dhe më kërkoi falje pas ndeshjes, gjë që ishte mirë”, ka shtuar Vata, që luan për Watfordin në Angli.

Ai ka theksuar se tifozëria ishte e jashtëzakonshme në Dublin dhe ishte numri më i madh i shikuesve para të cilëve ka luajtur ndonjëherë. Vata është shumë u lumtur që luajti dhe për fitoren e Irlandës.

“Kam pasur tetë persona lart në tribunë. Gjyshja ime është irlandezja më krenare e mundshme. E kërkova pas ndeshjes dhe e kam dëgjuar duke bërtitur në tifozëri. E gjeta, ishte vërtetë emocionale. Ajo ishte edhe në ndeshjen e kaluar, por unë nuk fitova rastin”, ka thënë Rocco Vata.

Në fakt raportet mes Kosovës dhe Irlandës vlerësohen shumë të mira. Edhe tifozëritë kanë folur me respekt për të dy ndeshjet dhe sjelljet në kampet rivale.

Vata nuk ka treguar se cili lojtar, sipas tij, e ka sharë. Kosova luajti me një lojtar më pak prej minutës së 26-të, kur Kreshnik Hajrizi u përjashtua me të kuq për lojë me dorë në vijë të portës.

“Nëse para ndeshjes do të më thoshit që do të jetë 3:0, do ta pranooja me të dy duart. Natyrisht, ishte debutim i imi në shtëpi dhe tifozëria ishte e jashtëzakonshme. Jam super i lumtur. Është moment i veçantë për mua”, ka thënë Vata. Ai ka 11 ndeshje këtë edicion në Championshipin anglez. Më herët ishte te Celticu në Skoci.

I lindur në Glasgow të Skocisë, Rocco Vata luan për Irlandën për shkak të prejardhjes së nënës së tij nga ky vend. Ende nuk është lojtar i rëndësishëm tek Irlanda.

Teilen: