Wednesday, 18. November 2026
Sport

Gjobitet Real Madridi për banerin e shpalosur në “Bernabeu”

GS 18/11/2026 2 Min. Lesezeit

Real Madridi është gjobitur me 3.001 euro nga Komisioni Kundër Dhunës në Spanjë, për shkak të një baneri të shpalosur nga tifozët e tij kundër presidentit të La Ligës, Javier Tebas.

Ngjarja kishte ndodhur më 18 tetor, gjatë ndeshjes së zhvilluar në stadiumin “Santiago Bernabeu”, ku skuadra madrilene ishte përballur me Sevillan.

Tifozët e Real Madridit kishin shpalosur një baner me mbishkrimin “Nuk është futboll, është Tebas dhe Negreira”, ndërsa emrat ishin paraqitur me ngjyrat e Barcelonës. Gjatë ndeshjes ishin dëgjuar edhe thirrje kundër presidentit të La Ligës.

Sipas Komisionit Kundër Dhunës, gjoba nuk lidhet me përmbajtjen e banerit, por me dështimin e klubit për të garantuar masat e nevojshme të sigurisë.

Në raport thuhet se në tri raste ishte lejuar futja dhe shfaqja e një baneri të madh pa njoftimin paraprak dhe pa certifikatën që dëshmon se materiali ishte rezistent ndaj zjarrit.

Përplasjet mes Real Madridit dhe Javier Tebasit janë shtuar dukshëm gjatë muajve të fundit. Drejtuesit e klubit madrilen kishin kërkuar dorëheqjen e tij pas deklaratave të diskutueshme për ankesat e Real Madridit lidhur me gjykimin.

Nga ana tjetër, Tebas kishte akuzuar drejtuesit e klubit madrilen se qëndronin prapa protestës së tifozëve kundër tij.

Ndërkaq, përmendja e Negreiras në baner lidhet me çështjen e pagesave të Barcelonës ndaj ish-zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik të Arbitrave, Jose Maria Enriquez Negreira.

Pavarësisht se bëhet fjalë për një gjobë relativisht të vogël, raportet mes Real Madridit dhe presidentit të La Ligës vazhdojnë të jenë tejet të tensionuara.

Teilen: