Humbja 3:0 ndaj Irlandës në Dublin të martën mbrëma dhe barazimi pa gola me Izraelin në Prishtinë të shtunën e kaluar i kanë kushtuar Kosovës me rënie në renditjen e FIFA-s.
Renditja e re e FIFA-s është publikuar të mërkurën, një ditë pasi u zhvilluan ndeshjet e fundit të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve.
Pas rezultateve të këtij muaji, Kosova ka humbur dy pozita, duke rënë nga vendi i 76-të në të 78-tin.
Në anën tjetër, Shqipëria ka shënuar përparim në këtë renditje. Kuqezinjtë janë ngjitur për një pozitë, nga vendi i 66-të në të 65-tin.
Ndryshime nuk ka në katër pozitat e para. Spanja vazhdon të kryesojë renditjen, e ndjekur nga Argjentina në vendin e dytë, Franca në të tretin dhe Anglia në të katërtin.
Ndërkaq, Portugalia ka rënë në vendin e gjashtë, ndërsa Maroku është ngjitur në pozitën e pestë.