Futbollisti shqiptar, Xherdan Shaqiri, është rikthyer te një prej momenteve më të përfolura të Kampionatit Botëror të vitit 2018 në Rusi, kur festoi me gjestin e shqiponjës pas golit të shënuar ndaj Serbisë, duke zbuluar edhe ndikimin që kjo ngjarje pati te përfaqësuesja e Zvicrës.
Në një intervistë për mediumin zviceran RSI.ch, Shaqiri ka folur për emocionet, provokimet dhe polemikat që e shoqëruan atë ndeshje, ku gjestin e shqiponjës e bënë edhe Granit Xhaka dhe Stephan Lichtsteiner.
Ai ka thënë se para takimit ishte shkruar shumë në media dhe kishte pasur provokime të shumta, por theksoi se synimi i tyre ishte të fitonin në aspektin sportiv dhe të dëshmonin vlerat në fushën e lojës.
“Para ndeshjes ishte shkruar shumë në media dhe kishte pasur shumë provokime, si para ashtu edhe gjatë takimit. Në fund, për mua ishte e rëndësishme që ta fitonim ndeshjen në aspektin sportiv dhe të tregonim vlerat tona në fushë. Donim të tregonim se ishim aty për sport, jo për politikë, edhe pse në fund pati edhe dimension politik. Emocionet u përfshinë sepse ishte shkruar dhe provokuar shumë. Mendoj se edhe mediat e tepruan pak me gjithë atë që ndodhi. Shumë njerëz në Zvicër nuk e kuptuan situatën, sepse nuk e njihnin historinë dhe nuk e dinin pse unë, Graniti dhe Stefani vepruam ashtu. Ishin emocione të forta. Mendoj se sot një gjest i tillë nuk do të shkaktonte aq shumë polemika”, ka deklaruar Shaqiri.
Ish-futbollisti i Liverpoolit dhe Bayern Munichut ka zbuluar gjithashtu se reagimet dhe diskutimet e vazhdueshme në mediat zvicerane ndikuan edhe në përgatitjen e skuadrës për ndeshjen e radhës në Botëror.
Sipas tij, polemikat rreth gjestit të shqiponjës ua morën energjinë dhe ndikuan në përqendrimin e futbollistëve para përballjes me Suedinë, në fazën e 1/8 së finales.
“Mendoj se mediat zvicerane ndikuan gjithashtu. U shkrua shumë dhe na u desh të shpjegonim vazhdimisht pse e kishim bërë atë gjest. Kjo na mori shumë energji dhe ndikoi në përqendrim. Nuk ishte e lehtë”, ka theksuar Shaqiri.
Zvicra u eliminua nga Suedia, duke humbur 1:0 në ndeshjen e zhvilluar më 3 korrik 2018, ndërsa gjesti i shqiponjës i Shaqirit dhe Xhakës ndaj Serbisë mbetet një nga momentet më të diskutuara të atij Botërori.