Rruga Qafë Buall-Krastë, që lidh Bulqizën me zonën e Martaneshit, është bllokuar gjatë ditës së sotme pas shembjes së një masivi të madh dheu dhe shkëmbinjsh pranë vendit të njohur si Ura e Luçanës.
Rrëshqitja e masivit ka shkaktuar ndërprerjen e plotë të qarkullimit në këtë aks rrugor 17 kilometra të gjatë, ndërsa disa automjete kanë mbetur të bllokuara në të dyja anët e zonës së shembjes.
Për hapjen e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit në normalitet është angazhuar firma kontraktore që po kryen punimet në këtë segment. Pas ndërhyrjes, lëvizja e automjeteve është bërë e mundur sërish gjatë orëve të drekës.
Aksi Qafë Buall-Krastë po i nënshtrohet një investimi me vlerë rreth 11 milionë euro, që përfshin stabilizimin e skarpatave përmes vendosjes së rrjetave mbrojtëse dhe betonimit, si dhe asfaltimin e rrugës.
Ky projekt vjen në vijim të një investimi të mëparshëm që kishte në fokus zgjerimin e trasesë. Në total, vlera e dy tenderëve për rehabilitimin e rrugës që lidh Qafë Buallin me zonën e Martaneshit arrin në rreth 22 milionë euro.
/rtsh.al/