Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka paralajmëruar tri projekte të reja infrastrukturore në Gjilan, me qëllim përmirësimin e kushteve për futbollistët, klubet dhe të rinjtë e këtij rajoni.
Përmes një postimi në Facebook, Ademi ka bërë të ditur se investimet do të realizohen në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit, raporton lajmi.net.
Sipas tij, pas përfundimit të projektit të ndriçimit në stadiumin ndihmës të qytetit, ku aktualisht zhvillojnë ndeshjet Drita, Gjilani dhe klubet e shkollat e futbollit të rajonit, do të vazhdohet me tri projekte të tjera.
Postimi i tij i plotë:
Investimet në futboll në Gjilan i vazhdojmë me tri projekte të reja
Pas realizimit të projektit të ndriçimit në stadiumin ndihmës të qytetit në Gjilan, ku aktualisht i zhvillojnë ndeshjet, Drita dhe Gjilani, si dhe klubet dhe shkollat e futbollit të këtii regjioni, po vazhdojmë me tri investime të reja në përmirësimin e kushteve për futbollistët, klubet dhe të rinjtë e këtij regjioni.
Në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit, do të realizojmë vendosjen e tapetit të ri sintetik në stadiumin ndihmës, pastaj vendosjen e tapetit në fushën sportive në Zabelin e Sahit Agës, si dhe shtrimin me bari natyral të fushës në Kampin e FC Drita.
Krahas këtyre projekteve, synojmë edhe ndërtimin e fushave të vogla sportive në lagje dhe pranë shkollave, në mënyrë që sa më shumë fëmijë e të rinj të kenë hapësira për të luajtur futboll.
Ne besojmë fuqishëm se investimi në infrastrukturë është investim në të ardhmen e futbollit, andaj qyteti i Gjilanit dhe i gjithë ky regjion meritojnë kushte më të mira për zhvillimin e këtij sporti.
Bashkë me klubet, komunën dhe Lidhjen Rajonale të Futbollit të Gjilanit, do të vazhdojmë të punojmë që projektet të tilla të marrin jetë dhe futbolli të ketë edhe më shumë mundësi zhvillimi./Lajmi.net/