Friday, 20. November 2026
Sport

Qeveria miraton rregullat për kompensimin e qirasë së punonjësve operativë të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Burgjeve

GS 20/11/2026 3 Min. Lesezeit

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që përcakton kriteret dhe masën e përfitimit të pagesës së qirasë për strehim për punonjësit operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP).

Vendimi u mor me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 2 të nenit 62 të ligjit nr. 28/2026 “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, dhe hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Kriteret e distancës dhe llogaritja e sipërfaqes

Sipas përcaktimit ligjor, nga ky kompensim përfitojnë punonjësit operativë të Agjencisë “të cilët transferohen në detyrë jashtë vendbanimit të përhershëm brenda dhe jashtë vendit dhe të cilëve nuk u sigurohet akomodimi nga Agjencia”. Për transferimet brenda territorit të vendit, kusht bazë është që zhvendosja për nevoja pune të jetë “në largësi mbi 36 (tridhjetë e gjashtë) km” nga vendbanimi i përhershëm.

Masa e përfitimit llogaritet mbi bazën e vlerës minimale të qirasë mujore të përcaktuar me VKM nr. 469, datë 3.6.2015, për qëllime tatimore, ndërsa sipërfaqja e mbuluar përcaktohet sipas përbërjes familjare të vërtetuar me certifikatë:

  • Punonjësi pa persona në ngarkim: Përfiton pagesën e qirasë për një sipërfaqe banimi deri në 30 m² neto.
  • Punonjësi me familjarë në ngarkim: Për çdo person familjar shtesë që zhvendoset me të, sipërfaqja neto rritet me 10 m².Për të përfituar këtë kompensim — i cili përjashton përfitimin e njëkohshëm nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit — punonjësi duhet të dorëzojë pranë strukturës së burimeve njerëzore një dosje me katër dokumente kryesore:
    1. Kërkesën me shkrim për kompensimin e qirasë;
    2. Fotokopjen e kartës së identitetit;
    3. Kontratën e noterizuar të qirasë në zonën ku është transferuar;
    4. Vërtetimin nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës se ai ose pjesëtarët e familjes “nuk kanë banesë apo nuk kanë aplikuar për legalizim banese, në juridiksionin territorial, ku është emëruar ose transferuar”.Pas verifikimit të dokumentacionit, praktika i kalon për miratim Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë. Punonjësi e gëzon këtë të drejtë “për aq kohë sa zgjat transferimi i tij, ose deri në sistemimin me banesë të përhershme në vendin e punës, ku është transferuar”. Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

      /rtsh.al/

       

Teilen: