Cristiano Ronaldo vazhdon t’i afrohet rekordit historik prej 1.000 golash në karrierën e tij, por goli i tij nuk mjaftoi që Al-Nassr të shmangte humbjen në derbin ndaj Al-Ahlit.
Al-Nassr u mposht me rezultat 3-1 në kuadër të xhiros së 12-të të kampionatit elitar të Arabisë Saudite.
Ishte pikërisht Ronaldo ai që kaloi ekipin e tij në epërsi, duke shënuar në minutën e 14-të për rezultatin 1-0.
Ky ishte goli i 986-të në karrierën e portugezit, i cili tashmë është vetëm 14 gola larg arritjes së shifrës historike prej 1.000 golash.
Megjithatë, Ronaldo pati mundësinë ta shtonte numrin e golave, por dështoi nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 18-të.
Al-Ahli reagoi në pjesën e dytë dhe arriti ta përmbyste rezultatin.
Galeno barazoi shifrat në minutën e 46-të, ndërsa Ivan Toney shënoi për 2-1 në minutën e 71-të.
Vetëm katër minuta më vonë, Roger Ibanez vulosi fitoren e Al-Ahlit me rezultatin përfundimtar 3-1.
Me këtë fitore, Al-Ahli shkon në kuotën e 24 pikëve, katër më pak se Al-Nassr, që renditet në pozitën e tretë. Në krye të tabelës është Al-Hilal me 30 pikë dhe një ndeshje më pak.
Ronaldo dhe bashkëlojtarët e tij do të rikthehen në fushë më 24 nëntor, kur do të përballen me Al-Saddin e Katarit në kuadër të Ligës së Kampionëve të Azisë.