Sunday, 22. November 2026
Sport

E ka mundësinë ta kthejë për 80 milionë euro – çka ka vendosur Reali rreth Nico Pazit?

GS 22/11/2026 2 Min. Lesezeit

Sipas gazetarit Jose Felix Diaz të gazetës “AS”, Real Madridi ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar lidhur me të ardhmen e Nico Pazit.

“Los Blancos” po vazhdojnë ta përcjellin zhvillimin e mesfushorit argjentinas te Como, por nuk dëshirojnë të nxitojnë me vendimin nëse duhet ta rikthejnë atë në “Santiago Bernabeu”.

Real Madridi u nda nga Pazi në vitin 2024, duke ia shitur kartonin Comos, por duke ruajtur një klauzolë riblerjeje për tri afatet kalimtare të verës që pasuan.

Vitin e kaluar, madrilenët aktivizuan këtë klauzolë për ta rikthyer nga skuadra italiane, por më pas e shitën sërish te Como për 60 milionë euro.

Një nga arsyet kryesore të këtij vendimi ishte dëshira e vetë futbollistit, i cili preferonte të qëndronte te Como për të vazhduar të luante rregullisht.

Megjithatë, si pjesë e marrëveshjes, Real Madridi siguroi një tjetër klauzolë riblerjeje për talentin argjentinas, e cila i mundëson ta rikthejë atë për 80 milionë euro në verën e vitit 2027.

Madje, disa mediume spanjolle kanë raportuar se klubi madrilen tashmë ka vendosur ta aktivizojë këtë klauzolë dhe ta rikthejë talentin e akademisë së tij para fillimit të sezonit të ardhshëm.

Pavarësisht interesimit në rritje për 21-vjeçarin, rikthimi i tij në Real Madrid mbetet i pasigurt dhe drejtuesit e klubit nuk po nguten për të marrë një vendim.

Madrilenët janë të vetëdijshëm për cilësitë e Pazit, por gjithashtu e dinë se futbollisti dëshiron minuta të rregullta dhe një rol të rëndësishëm në skuadrën ku luan.

Rikthimi në klubin ku u formua do ta vendoste atë në konkurrencë me titullarë të konsoliduar si Jude Bellingham dhe Arda Guler, por edhe me futbollistë si Rodrygo dhe Brahim Diaz.

Sipas raportimit, Real Madridi do të vazhdojë ta monitorojë progresin e tij dhe vendimi përfundimtar rreth rikthimit mund të merret gjatë pranverës.

Shuma prej 80 milionë eurosh do të përbënte një investim të konsiderueshëm për klubin, ndaj drejtuesit do t’i analizojnë të gjithë faktorët, përtej formës së tij në fushë, përpara se të vendosin nëse do ta rikthejnë në verën e vitit 2027.

⚽
La LigaRezultati i fundit · Ndeshja e radhës · Tabela
Duke ngarkuar rezultatet…
Teilen: