Wednesday, 25. November 2026
Sport

Milani ia beson çelësat shqiptarit! Ardon Jashari para mundësisë së madhe ndaj Olympiacosit

GS 25/11/2026 3 Min. Lesezeit

Ardon Jashari pritet të marrë një përgjegjësi të madhe te Milani në ndeshjen e nesërme kundër Olympiacosit, pasi skuadra kuqezi nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Luka Modrićit, i cili ka pësuar një dëmtim muskulor.

Lajmi për mungesën e mesfushorit kroat ka shkaktuar një shqetësim në kampin e Milanit, megjithëse dëmtimi nuk konsiderohet serioz dhe Modrić pritet të rikthehet për ndeshjen e fundjavës së ardhshme.

Në këto rrethana, trajneri i Milanit duhet të gjejë zgjidhjen e duhur për mesfushën, ndërsa një nga opsionet kryesore është pikërisht reprezentuesi shqiptar, Ardon Jashari, trasnmeton ORAinfo.

Mundësia e madhe për Jasharin

Që prej transferimit të tij në Itali, Jashari është konsideruar si një nga lojtarët që mund të marrë rolin e Modrićit në të ardhmen. Megjithatë, deri më tani, ai nuk ka arritur të tregojë vazhdimësinë e nevojshme për t’u shndërruar në një titullar të rëndësishëm.

Sipas raportimit të gazetës italiane “La Gazzetta dello Sport”, ndeshja kundër Olympiacosit mund të jetë momenti i duhur që mesfushori shqiptar të dëshmojë vlerat e tij dhe të bëjë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij te Milani.

Jashari vjen në këtë sfidë pas një fundjave pozitive, ku arriti të shënojë golin e tij të parë me fanellën e kuqezinjve. Ky sukses mund t’i japë edhe më shumë besim për sfidën e radhës.

Gjithçka varet nga paraqitja e tij

Zëvendësimi i një futbollisti me përvojën dhe cilësitë e Luka Modrićit nuk është aspak detyrë e lehtë. Për këtë arsye, Jashari do të duhet të japë maksimumin në një ndeshje me rëndësi të veçantë për Milanin.

Kuqezinjtë kanë nevojë për rezultate pozitive në Ligën e Evropës, në mënyrë që të ruajnë shpresat për përfundimin e fazës në tetë pozitat e para të tabelës.

Për Jasharin, kjo është më shumë se një mundësi për të luajtur nga minuta e parë. Është një shans për të dëshmuar se mund të jetë një pjesë e rëndësishme e projektit të Milanit.

Klubi italian ka vazhduar të besojë te mesfushori shqiptar, madje duke refuzuar mundësinë e largimit të tij gjatë afatit kalimtar të verës.

Tashmë, topi është në këmbët e Jasharit. Ai pritet ta ketë një vend të sigurt në formacion për ndeshjen e nesërme dhe ditët në vijim, por paraqitjet e tij do të përcaktojnë nëse kjo mundësi do të shndërrohet në një rol më të madh në skuadër.

Pesë ditët e ardhshme mund të jenë vendimtare për të ardhmen e Ardon Jasharit te Milani. Një paraqitje bindëse ndaj Olympiacosit mund t’i hapë dyert për më shumë minuta dhe besim, ndërsa në rast të kundërt, interesimi nga klube të tjera mund të rikthehet në skenë. /ORAinfo/

Teilen: