Gjykata Kushtetuese ka vendosur me shumicë votash, pranimin e pjesshëm të kërkesës për pezullimin e zbatimit të aktit normativ të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.04.2001, ‘Për tubimet’”.
Vendimi vjen pas kërkesës së paraqitur nga një grup organizatash dhe grupimesh qytetare: Qendra “Res Publica”, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri, si dhe grupimet informale studentore “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”. Këto subjekte kanë kërkuar jo vetëm pezullimin e pjesshëm, por edhe shfuqizimin në tërësi të aktit normativ.
Në përfundim të shqyrtimit, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi: Pranimin e pjesshëm të kërkesës për pezullim, pezullimin e zbatimit të nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që shton nenin 24/1, pika 2, të ligjit “Për tubimet”. Kjo dispozitë parashikonte sanksion administrativ për bllokimin e rrugëve automobilistike ose të akseve rrugore gjatë një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit.
Çështja për shfuqizimin e aktit normativ ka kaluar tashmë për shqyrtim në seancë plenare. Me vendimin e sotëm, Gjykata Kushtetuese i jep përparësi shqyrtimit të kërkesës, ndërkohë që pezullon menjëherë zbatimin e dispozitës që lidhet me sanksionet administrative për bllokimin e rrugëve.
Pezullimi prek konkretisht pjesën e nenit që parashikonte masa administrative ndëshkimore në rastet kur tubimet bllokojnë rrugët dhe pengojnë qarkullimin e mjeteve.
Organizatat kërkuese e kanë vlerësuar këtë dispozitë si problematike për ushtrimin e së drejtës së tubimit, ndërsa vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese pezullon përkohësisht zbatimin e saj deri në përfundimin e shqyrtimit të plotë të çështjes.
/rtsh.al/